VLEN, nëse jeni të kidnapuar nga VMRO, bëni një zë
Ndërsa studentët po përgatiten për protestën e së hënës në mbrojtje të Kushtetutës dhe zbatimit të ligjit për gjuhën, një mungesë po bëhet më e zëshme se vetë protesta: VLEN.
Në një moment kur iniciativa është qartazi qytetare dhe jo-partiake, kur thirrja vjen nga studentë dhe jo nga struktura politike, pritej që aktorët politikë të paktën të shprehin qëndrim parimor. Por VLEN ka zgjedhur heshtjen. Asnjë reagim. Asnjë mbështetje. Asnjë distancim.
Protesta nuk është për pushtet. Është për parime. Për respektimin e rregullave që vetë shteti i ka miratuar. Për barazi në zbatim, jo për privilegje në interpretim.
Pikërisht në këto momente testohet kredibiliteti i një subjekti politik: kur nuk ka interes elektoral të drejtpërdrejtë, por ka përgjegjësi publike.
Ironia është e dukshme. Studentët flasin lirshëm. Një subjekt politik hesht.
Dhe ndoshta pyetja më e thjeshtë mbetet edhe më e forta:
Nëse nuk mund të flisni kur flasin studentët, kur do të flisni?
