VLEN pa kuadro/ Zvarritet plotësimi i posteve në Qeveri

Koalicioni VLEN po përballet me vështirësi serioze në plotësimin e vendeve të lira në ministri dhe institucione shtetërore, duke e zvarritur procesin e funksionalizimit të plotë të qeverisë. Sipas burimeve dhe bisedave jozyrtare, arsyeja kryesore lidhet me mungesën e kuadrove cilësore për pozita drejtuese nga ana e partnerit më të vogël qeveritar, por edhe me përçarjet e brendshme dhe kalkulimet politike për bashkëpunime të reja.

Pritjet janë që gjatë rindërtimit të Qeverisë, të paralajmëruar nga kryeministri Hristijan Mickoski për në pranverë, institucionet më në fund të pajisen me kuadro nga VLEN. Megjithatë, nga vetë koalicioni thonë se dy pozitat e zëvendësministrave mund të plotësohen edhe para këtij procesi.

Aktualisht, bosh janë dy poste zëvendësministrore – në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Arsimit. Pas largimit të Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Taravari nga Qeveria, dhe me të edhe të ish-zëvendësministres së Mbrojtjes Elfete Ismaili, VLEN për më shumë se tetë muaj nuk ka dorëzuar propozim konkret për këtë post. Sipas koalicionit, tashmë ekziston një propozim i dërguar te kryeministri, por ai po kalon filtrat e nevojshëm institucionalë. Kandidati për zëvendësministër të Mbrojtjes vjen nga fraksioni i Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga zv/kryeministri Arben Fetai.

Në anën tjetër, në Ministrinë e Arsimit, dorëheqja e zëvendësministrit Lulzim Aliu për arsye personale ka hapur një tjetër vakancë, ndërsa propozimi për pasardhësin pritet të vijë nga Alternativa.

Procesin e vështirë të emërimeve e rëndon edhe transformimi i ngadalshëm i koalicionit VLEN në parti politike. Ky proces është bllokuar nga mosmarrëveshjet mes liderëve të subjekteve përbërëse – Lëvizja Demokratike, Besa, Alternativa dhe fraksioni i Aleancës – lidhur me modelin e zgjedhjes së liderit, por edhe nga tensionet e brendshme, veçanërisht në Besa, mes ministrit Fatmir Limani dhe kryetarit Bilall Kasami.

Në këtë kontekst, VLEN përballet me kritika se nuk ka kapacitet të mjaftueshëm organizativ dhe kadrovik për të përballuar përgjegjësitë qeverisëse, ndërsa zvarritja e emërimeve po reflektohet drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve.

Back To Top