ZERO euro nga BE-ja për Çairin: Komuna mbetet në fund të listës, qytetarët përballë dështimit institucional

Çairi vazhdon të mbetet komuna e fundit në listën e përfituesve të fondeve evropiane, në një kohë kur edhe komunat më të vogla rurale në vend po sigurojnë miliona euro nga Bashkimi Evropian për projekte infrastrukturore, arsimore dhe shërbime publike.

Sipas reagimeve publike, bilanci për Çairin është alarmant: zero projekte, zero fonde dhe zero vizion zhvillimor. Ndërsa fondet ekzistojnë dhe thirrjet evropiane janë të hapura, komuna nuk po arrin të përgatisë dhe të absorbojë asnjë projekt serioz.

Kjo situatë nuk cilësohet si rastësi, por si pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së kapacitetit institucional, dijes profesionale dhe vullnetit politik të udhëheqjes aktuale komunale. Sipas kritikëve, Çairi nuk ka ekip të përgatitur, nuk ka strategji dhe nuk ka asnjë plan konkret për zhvillim.

Ndërkohë, qytetarëve u janë servirur premtime të pambajtura. Kredia hungareze, e promovuar si zgjidhje “magjike”, sot shihet si një mashtrim parazgjedhor: pa projekte konkrete, pa investime reale dhe pa asnjë përfitim të prekshëm për qytetarët. Vetëm propagandë.

E njëjta situatë raportohet edhe me fondet qeveritare, ku Çairi po anashkalohet sistematikisht, duke mbetur pa projekte, pa mbështetje dhe pa përfaqësim real në tryezat ku merren vendimet. Kjo po e thellon pabarazinë dhe po e lë komunën jashtë çdo procesi zhvillimor.

Sipas reagimit, problemi i Çairit nuk është mungesa e mundësive, por udhëheqja që nuk di, nuk do dhe nuk guxon të punojë për interesin publik. Qytetarët e Çairit, theksohet më tej, meritojnë zhvillim, investime dhe projekte evropiane, jo justifikime dhe mashtrime politike.

“Është koha që kjo padrejtësi të marrë fund. Çairi nuk mund dhe nuk duhet të mbetet më komuna e fundit në Evropë”, thuhet në reagim.

Back To Top