Zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut hapën një epokë të re politike – Analisti Rashidi: BDI mbetet aktor politik kryesor në skenën shqiptare

Nga Shkupi, analisti Nazim Rashidi ka komentuar për RTSH-24 zhvillimet e fundit pas zgjedhjeve vendore në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar si fillimin e një epoke të re në politikën e vendit.

Sipas tij, rezultatet pasqyrojnë jo vetëm zhgënjimin ndaj qeverisjes së mëparshme, por edhe një ndryshim të dukshëm në orientimin e elektoratit.

Ai vuri në dukje se koalicioni VLEN dhe VMRO-DPMNE kanë krijuar një konfigurim të ri pushteti, ndërsa BDI, pavarësisht humbjes së disa komunave, mbetet një aktor i rëndësishëm në skenën politike shqiptare.

Sipas Rashidit, BDI duhet të nisë një fazë reflektimi për të përcjellë mesazhe të reja dhe për të ruajtur mbështetjen e elektoratit në një realitet të ri politik.

Zgjedhjet e fundit kanë nxjerrë në pah zhgënjimin e akumuluar ndër vite ndaj qeverisjes së mëparshme, por edhe prirje të reja që lidhen me procesin e integrimit dhe ngecjen e Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian – tha Rashidi.

Ai vuri në dukje se VMRO-DPMNE, një parti me orientim më nacionalist, ka përdorur retorikë të tillë në raport me Bullgarinë dhe me shqiptarët, çka ka ndikuar dukshëm në mobilizimin e elektoratit maqedonas.

“Kjo gjë i ka dhënë një mbështetje të madhe dhe mesazhi i tyre ka rënë në vesh më të fuqishëm tek elektorati maqedonas – u shpreh analisti.

Sipas Rashidit, kur një parti është në pushtet, ka edhe mekanizma të tjerë për të ndikuar në procesin zgjedhor, por pavarësisht kësaj, rezultati është pranuar dhe përfaqëson një realitet të ri politik në vend.

Duke u ndalur te komuna e Kërçovës, e cila pas 16 vitesh nën drejtimin e koalicionit shqiptar AKI kaloi në duart e VMRO-DPMNE-së, Rashidi e cilësoi këtë si një fenomen të veçantë.

“Është një fenomen që ndodh pas kaq vitesh, kur një përfaqësues maqedonas merr drejtimin e një komune me shumicë shqiptare. Kjo është pjesë e një marrëveshjeje më të madhe mes VLEN dhe VMRO-DPMNE për të mbështetur njëra-tjetrën – tha ai.

Ai shtoi se partitë e tjera opozitare nuk e kanë frenuar këtë prirje, për shkak të keqqeverisjes dhe disa aferave që kanë dalë në pah.

“Nuk duhet të shihet si dramatike fakti që një përfaqësues maqedonas drejton një bashki me shumicë shqiptare, por fatkeqësisht në Maqedoninë e Veriut çështjet etnike ende shihen në një prizëm problematik – theksoi Rashidi.

Analisti vuri në dukje se rreth 10 komuna do të drejtohen nga përfaqësuesit e VLEN, ndërsa pjesa më e madhe nga VMRO-DPMNE, të cilat së bashku janë pjesë e qeverisë. Sipas tij, kjo bashkëqeverisje pritet të shmangë përplasjet mes pushtetit lokal dhe atij qendror.

Megjithatë, Rashidi paralajmëroi se Maqedoninë e Veriut e pret një periudhë sfiduese, për shkak të krizës ekonomike dhe mungesës së zhvillimit.

“Do të shohim se si do të realizohen premtimet e dhëna dhe sa do të përmbushen pritshmëritë e qytetarëve – tha ai.

I pyetur për humbjen e komunës së Kërçovës nga BDI, Rashidi tha se kjo paraqitet nga VMRO-DPMNE si një dështim dhe fund i një epoke për BDI-në, por sipas tij, realiteti është më kompleks.

“Pavarësisht humbjes së disa komunave, BDI do të vazhdojë të funksionojë si një koalicion tjetër dhe do të mbetet pjesë dominuese e skenës politike, sepse një pjesë e madhe e votave, sidomos në këshillat komunalë, ka treguar një mbështetje të lartë – u shpreh Rashidi.

Back To Top