Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka vazhduar kritikat ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski dhe guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Slaveski, lidhur me rastin e Alta Bankës.
Nga LSDM-ja thonë se Slaveski ka pranuar publikisht se vendimin lidhur me hyrjen e Alta Bankës në tregun maqedonas e ka marrë pas konsultimit me kryeministrin Mickoski.
Sipas opozitës, kjo ngre pikëpyetje serioze për mënyrën e marrjes së vendimeve dhe për pavarësinë e Bankës Popullore nga ndikimet politike.
LSDM-ja kërkon që Prokuroria Publike të veprojë lidhur me këtë rast dhe të shqyrtojë përgjegjësinë e personave të përfshirë në procesin e miratimit të hyrjes së bankës në tregun e Maqedonisë së Veriut.
Partia opozitare kërkon gjithashtu hetim për origjinën e kapitalit, transaksionet financiare dhe lidhjet e mundshme të pronarit të bankës, Davor Macura, me çështjet që po hetohen në Serbi.
LSDM-ja pretendon se situata e krijuar rreth Alta Bankës ka shkaktuar shqetësime për qytetarët dhe bizneset që kanë pasur mjete financiare në këtë institucion.
Nga kjo parti kërkojnë që institucionet kompetente të mos heshtin, por të përcaktojnë nëse gjatë procedurës së hyrjes së bankës në treg janë respektuar të gjitha standardet ligjore dhe rregullatore.
A do të hapë Prokuroria hetim për rolin e Mickoskit dhe Slaveskit në rastin e Alta Bankës, apo çështja do të mbetet vetëm në përplasjet politike?
