Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Qeverisë së Serbisë, e cila deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte përfunduar spastrimin etnik të Kosovës.
Ahmeti e cilësoi deklaratën si tronditëse, çnjerëzore dhe të papranueshme, duke theksuar se ajo përbën fyerje ndaj viktimave të luftës dhe pasqyrim të një mentaliteti të rrezikshëm të lidhur me politikat e regjimit të Millosheviqit.
“Një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale e mentorit të saj politik, Sllobodan Millosheviqit, i cili përfundoi duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare për krimet e regjimit të tij”, ka shkruar Ahmeti.
Ai kujtoi se bota ka parë krimet e kryera në Kosovë, përfshirë vrasjen e civilëve, masakrat dhe varrezat masive, duke theksuar se mohimi apo glorifikimi i politikave gjenocidale nuk mund të ketë vend në shoqëritë demokratike.
Sipas Ahmetit, historia ka dhënë përgjigjen e saj përballë ideologjive të urrejtjes, ndërsa rezistenca e popullit të Kosovës dhe mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë sollën lirinë e vendit.
“UÇK-ja solli lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ata që edhe sot ëndërrojnë spastrim etnik duhet ta dinë se ideologjitë e urrejtjes gjithmonë përfundojnë në bankën e historisë, ndërsa liria dhe e drejta triumfojnë”, ka deklaruar Ali Ahmeti.
