Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me paraqitjen e deputetit të VLEN-it, Bekim Qoku, si zëvendëskryetar i Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, gjatë takimit të 19 nëntorit me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp.
Sipas BDI-së, Qoku është paraqitur në një funksion për të cilin nuk është zgjedhur zyrtarisht, pasi Komiteti deri më tani ka zgjedhur vetëm kryetarin, ndërsa posti i zëvendëskryetarit vazhdon të jetë i paplotësuar.
BDI thekson se edhe në faqen zyrtare të Kuvendit, Bekim Qoku figuron vetëm si anëtar i Komitetit, ndërsa në njoftimin zyrtar të institucionit është cilësuar po ashtu si anëtar dhe jo si zëvendëskryetar.
Në reagimin e saj, BDI rikujton se që nga 4 qershori, kur sipas saj VLEN-i imponoi procedurën e Badenterit të vogël për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, Komiteti nuk është mbledhur më.
Për këtë çështje, Fronti Evropian kërkon nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe kryetari i Komitetit, Adnan Azizi, që të korrigjohet njoftimi dhe OSBE-ja të informohet për gjendjen zyrtare të funksioneve në këtë organ.
Gjithashtu, kërkohet që brenda 15 ditësh të thirret mbledhja për zgjedhjen e zëvendëskryetarit, në përputhje me procedurat ligjore, si dhe të shqyrtohet çështja në bazë të Kodit të Sjelljes Etike të Deputetëve.
BDI vlerëson se Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, i krijuar në kuadër të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duhet të funksionojë si mekanizëm institucional për mbrojtjen e të drejtave të bashkësive etnike dhe jo vetëm për takime protokollare.
Fronti Evropian ka paralajmëruar se për këtë çështje do të njoftojë edhe Kabinetin e Komisionerit të Lartë të OSBE-së dhe partnerët ndërkombëtarë.
A do të japin Kuvendi dhe drejtuesit e Komitetit sqarime për mënyrën se si Bekim Qoku u prezantua në këtë funksion?
