🔴 Dëmet mbeten – Drejtoria e NP “Parqe dhe Gjelbërime” anashkalon Çairin

Kanë kaluar disa ditë nga stuhia e fuqishme që goditi Shkupin, por në rrugën Çairçanka pamja mbetet alarmante. Pemët e rrëzuara vazhdojnë të bllokojnë plotësisht trotuaret, ndërsa askush nuk ka marrë mundimin t’i largojë. Banorët janë të detyruar të ecin në rrugë, duke rrezikuar sigurinë e tyre, ndërsa institucionet vazhdojnë të heshtin.

Kjo gjendje ngre dyshime serioze për neglizhencë dhe papërgjegjësi nga NP “Parqe dhe Gjelbërime”, e cila ka për detyrë mirëmbajtjen dhe largimin e pemëve të rrëzuara. Mungesa e çdo reagimi edhe pas disa ditësh lë përshtypjen se Çairi është lënë qëllimisht në harresë.

Në qendër të kritikave është drejtori Muamer Seferi, i cili akuzohet se po e anashkalon Çairin, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me pasojat e stuhisë. Nëse në lagje të tjera ekipet kanë dalë në terren, lind pyetja pse në Çair ende nuk është ndërmarrë as veprimi më elementar.

Edhe Komuna e Çairit nuk mund të shmangë përgjegjësinë. Pavarësisht se rreziku është i dukshëm dhe trotuaret janë të bllokuara, deri më tani nuk shihet as koordinim dhe as presion institucional për zgjidhjen e problemit.

Pamjet nga terreni janë dëshmia më e qartë e neglizhencës. Kur institucionet nuk kryejnë detyrat për të cilat paguhen me paratë e qytetarëve, kjo nuk është më vetëm vonesë në reagim, por dështim i hapur institucional. Qytetarët nuk kanë nevojë për arsyetime, por për veprime konkrete dhe përgjegjësi nga ata që kanë detyrimin të mbajnë qytetin të sigurt.

Back To Top