🔴 DOKUMENT/ Eksponentët e VLEN-it, edhe kur emërohen edhe kur shkarkohen vendimet i kanë vetëm në maqedonisht

Premtimet për barazi gjuhësore dhe përfaqësim dinjitoz po rezultojnë vetëm fjalë boshe për eksponentët e koalicionit VLEN. Dokumentet zyrtare që vulosin emërimet dhe shkarkimet e tyre po dalin vetëm në gjuhën maqedonase, duke lënë anash shqipen – gjuhë zyrtare sipas Kushtetutës dhe ligjit në fuqi.

Ironia është e madhe: përfaqësues që pretendojnë se mbrojnë interesin shqiptar, pranojnë vendime që as nuk ua njohin gjuhën. Asnjë reagim publik, asnjë refuzim simbolik, asnjë kushtëzim institucional. Heshtje totale.

Kjo situatë ngre dyshime serioze:

A janë aty për të përfaqësuar qytetarët shqiptarë, apo thjesht për të mbushur numrat dhe për të krijuar iluzionin e përfshirjes? Nëse edhe aktet personale – si emërimi apo shkarkimi – nuk respektojnë gjuhën shqipe, çfarë mund të presin qytetarët e thjeshtë?

Faktet flasin qartë: dekor politik pa peshë vendimmarrëse.

Deri më tani, nuk ka asnjë sqarim nga VLEN përse dokumentet zyrtare nuk dalin dygjuhëshe, ashtu siç e parasheh legjislacioni në fuqi.

Back To Top