Gazetari Furkan Saliu ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke akuzuar pushtetin aktual se po e zhvlerëson luftën çlirimtare që nga dita e parë e ardhjes në pushtet.
Saliu ka deklaruar se prej dy ditësh është në pritje të fakteve dhe argumenteve nga zyrtarët e pushtetit, por sipas tij, në vend të sqarimeve po merr vetëm “zhurmë dhe mjegull”.
“Që dy ditë po pres faktet nga z. Osmani. Por, në vend të fakteve, prej tij po marrim vetëm zhurmë dhe mjegull”, ka shkruar Saliu.
Ai ka ngritur disa pyetje lidhur me rastin e ndërprerjes së kontratës së një kandidati për polic, duke kërkuar sqarime nëse ka pasur vërejtje zyrtare, dokumentacion apo procedura paraprake para largimit.
Sipas tij, debati nuk lidhet me interesa personale, por me çështje më të gjera që prekin identitetin, gjuhën shqipe dhe trashëgiminë e luftës çlirimtare.
“Këndej ka zhurmë, sepse andej, në Qeveri, ka heshtje”, ka përfunduar Saliu, duke kërkuar përgjigje dhe transparencë nga institucionet.
