Lubço Georgievski, ish-kryeministër i Maqedonisë gjatë periudhës së konfliktit të vitit 2001, ka dhënë detaje të reja rreth një prej çështjeve më të debatueshme të asaj periudhe – nëse ekzistonte një plan për ndarjen e vendit.
Në një intervistë të fundit për TV24, Georgievski deklaroi se “plani famoz” për ndarjen e Maqedonisë kishte ekzistuar dhe se për të ishte informuar nga disa akademikë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase.
Sipas tij, më pas kjo ide ishte diskutuar edhe në nivelin më të lartë shtetëror, në një takim ku morën pjesë Georgievski, Stojan Andov dhe presidenti i atëhershëm Boris Trajkovski.
Georgievski tha se logjika e diskutimit ishte që, nëse palët nuk dëshironin të vazhdonin të jetonin së bashku, atëherë ndarja do të ishte alternativë ndaj vazhdimit të luftës dhe viktimave.
Ai shtoi se për këtë ide kishte informuar edhe Arben Xhaferin, i cili në atë kohë ishte kryetar i PDSH-së dhe pjesë e Qeverisë.
“Unë kam informuar atëkohë Arbën Xhaferin, dhe ai më tha se do të japësh kohë një javë, 10 ditë”, deklaroi Georgievski.
Sipas rrëfimit të tij, pas kësaj periudhe Xhaferi e kishte informuar se propozimi nuk do të përkrahej. Georgievski tha se nuk e dinte saktësisht se nga kush ishte refuzuar – nëse nga faktori ndërkombëtar apo nga pala shqiptare.
Kjo deklaratë e Georgievskit hap sërish debatin për atë që ka ndodhur prapa skenave gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe vjen në kundërshtim me deklaratat e mëparshme të Menduh Thaçit lidhur me ekzistencën e një plani të tillë.
Georgievski, megjithatë, theksoi se edhe pse ideja nuk ishte përkrahur, nga komunikatat e asaj kohe ai kishte krijuar përshtypjen se pala e armatosur shqiptare luftonte edhe për territor.
