Pas reagimeve të shumta për mungesën e gjuhës shqipe në tabelën informuese të parkut “Oaza e Butelit”, duket se çështja ka marrë një zhvillim të ri.
Këshilltarët e AKI-së bëjnë të ditur se tabela tashmë është plotësuar edhe me mbishkrimin në gjuhën shqipe, duke theksuar se këtë e kanë bërë qytetarët.
Rasti kishte nxitur reagime të shumta, pasi në hyrje të parkut ishte vendosur tabela vetëm në gjuhën maqedonase. Për këtë çështje kishin reaguar edhe këshilltarët shqiptarë të AKI-së dhe VLEN-it, duke kërkuar që mbishkrimi të vendosej edhe në gjuhën shqipe.
Ndërkohë, edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kishte kërkuar korrigjimin e tabelës, duke i dhënë komunës afat prej 30 ditësh për harmonizimin e saj me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Ontarget.mk po e përcjell nga afër këtë zhvillim dhe reagimet lidhur me vendosjen e mbishkrimit në gjuhën shqipe në parkun e Butelit.
