Fotografia e Fatmir Limanit krah kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Shëndetësisë po hap një debat të ri në skenën politike shqiptare.
Edhe pse Limani u shkarkua nga posti qeveritar pas rikonstruimit të Qeverisë dhe nuk është më pjesë aktive e VLEN-it si më parë, paraqitja e tij në krah të kreut të Qeverisë ngre pikëpyetje për rolin që mund të ketë në zhvillimet e ardhshme politike.
A është kjo fotografi thjesht një takim institucional, apo fshihet pas saj një mesazh politik?
Një nga skenarët që po qarkullon në opinion është mundësia e rikthimit të Fatmir Limanit në Qeveri, ndërsa një tjetër pikëpyetje lidhet me zhvillimet që mund t’i paraprijnë zgjedhjeve të parakohshme.
A po përgatitet terreni për një marrëveshje të re politike në prag të zgjedhjeve të parakohshme?
Nëse Limani, pavarësisht largimit nga VLEN-i, vazhdon të shfaqet pranë strukturave më të larta të pushtetit, atëherë pyetja bëhet edhe më interesante: kush ka realisht më shumë peshë politike – Limani apo VLEN-i?
Për momentin nuk ka konfirmim zyrtar për ndonjë marrëveshje apo rikthim të Limanit në Qeveri. Por fotografia e fundit padyshim se lë hapësirë për interpretime dhe për një sërë skenarësh politikë që mund të marrin formë në muajt në vijim.
