Liridona Vejseli ka reaguar ashpër për garën e raundit të dytë në Bërvenicë, ku përballë njëri-tjetrit janë kandidati shqiptar Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) dhe Stojanço Radiçevski, kandidat i koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
Në reagimin e saj, Vejseli thekson se në garë tashmë ka mbetur një kandidat shqiptar dhe një kandidat maqedonas, duke u bërë thirrje shqiptarëve të Bërvenicës që ta mbështesin Jahijin.
“Në Bërvenicë ka një kandidat shqiptar në garë dhe ai është Arkin Jahiu! Të gjithë ata të cilët e ndjejnë veten shqiptarë duhet ta votojnë Arkinin”, shprehet Vejseli.

Ajo i referohet edhe strukturës së popullsisë së Bërvenicës, duke theksuar se shqiptarët përbëjnë rreth 54 për qind të popullsisë rezidente, sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2021.
Vejseli kritikon gjithashtu gjuhën që, sipas saj, përdoret ndaj shqiptarëve që nuk e mbështesin kandidatin shqiptar.
“Mund të votosh kë të duash, po fillimisht duhet të të ngjitet vula e tradhtarit!”, shkruan ajo, duke e cilësuar këtë qasje si pjesë të presionit për unifikimin e votës shqiptare.
“Gjithmonë, gjithmonë ka pasur thirrje që shqiptarët të bëhen bashkë të votojnë kandidatin shqiptar. Kjo është fushata e parë që varet BDI-ja sa e sjellshme do të jetë. Gjepura! Votoni shqiptarin, se turp!”, shprehet Vejseli.
Raundi i dytë i zgjedhjeve në Bërvenicë zhvillohet të dielën, ndërsa përballja mes Arkin Jahijit dhe Stojanço Radiçevskit tashmë është zyrtare. Në raundin e parë, Radiçevski mori 38.90 për qind të votave, ndërsa Jahiji 28.45 për qind.
Në këtë përballje, vota e qytetarëve të Bërvenicës do të përcaktojë se kush do ta drejtojë komunën në mandatin e ardhshëm.
