Pacientët onkologjikë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të përballen me një situatë alarmante: skaneri i vetëm publik PET/CT në vend ende nuk funksionon, ndërsa nuk ka një afat të qartë se kur do të rikthehet në përdorim.
Bëhet fjalë për një pajisje jetike për pacientët me kancer, pasi PET/CT u mundëson mjekëve të vlerësojnë përhapjen e sëmundjes, efektin e terapisë dhe të përcaktojnë hapat e mëtejshëm të trajtimit.
Por ndërsa ministrat dhe drejtuesit e institucioneve ndryshojnë, problemi për pacientët mbetet i njëjtë: pritje, pasiguri dhe mungesë zgjidhjeje.
Nga Instituti Universitar për Tomografinë me Emetim Pozitronesh bëjnë të ditur se defekti lidhet me pajisjet e nevojshme për prodhimin e radioizotopeve, ndërsa servisuesi i autorizuar po punon për eliminimin e problemit.
Institucioni ka pranuar gjithashtu se gjatë viteve të fundit nuk është ndjekur protokolli për mirëmbajtjen parandaluese të pompës së difuzionit, përfshirë pastrimin dhe zëvendësimin e vajit çdo pesë vjet.
🔴 Pacientët presin, ndërsa alternativat kushtojnë deri në 1.300 euro.
Për pacientët që kanë përfunduar disa cikle kimioterapie apo trajtimi dhe duhet të bëjnë PET/CT për të parë nëse terapia ka dhënë rezultat, pritja mund të jetë veçanërisht shqetësuese.
Një paciente ka rrëfyer se aparati kishte qenë jashtë funksionit për dy deri në tre muaj. Edhe pasi u rikthye përkohësisht në punë, pajisja funksionoi vetëm disa ditë dhe më pas u ndal sërish.
Sipas saj, mjeku e kishte këshilluar të mos priste më gjatë, pasi problemi mund të zgjaste edhe disa muaj. Për këtë arsye, ajo u detyrua ta kryente ekzaminimin jashtë vendit.
Ndërkohë, për ata që nuk mund të presin, ekziston edhe barriera financiare. Një ekzaminim PET/CT në institucionet private kushton rreth 1.300 euro.
🔴 Dhe problemi bëhet edhe më serioz sepse në të gjithë sistemin publik ekziston vetëm një PET/CT.
Sipas të dhënave të Zyrës Shtetërore të Auditimit, Instituti Universitar për Tomografinë me Emetim Pozitronesh është institucioni i vetëm publik që ofron këto ekzaminime dhe disponon vetëm një pajisje.
Në periudhën 2021–2023 janë regjistruar 6.457 referime, ndërsa kapaciteti maksimal i pajisjes ishte rreth 13 pacientë në ditë.
Auditorët kanë vlerësuar se blerja e një pajisjeje të dytë do të rriste ndjeshëm kapacitetet dhe do të reduktonte pritjet. Madje, sipas auditimit, në Institut ekziston hapësirë për vendosjen e një PET/CT-je të dytë.
🔴 “Më kanë kthyer tre herë” – dëshmitë e pacientëve tregojnë situatën në terren.
Në grupet mbështetëse të pacientëve onkologjikë janë publikuar dëshmi të personave që thonë se kanë pritur dhe janë kthyer disa herë pa mundur ta kryejnë ekzaminimin.
“Edhe unë po pres, më kanë kthyer tre herë”, shkruan një pacient.
Për një pacient me kancer, kjo nuk është thjesht një pritje administrative. Është pritje për një rezultat që mund të përcaktojë nëse terapia po funksionon dhe cili do të jetë hapi i radhës.
Instituti thotë se servisuesi i autorizuar po punon për eliminimin e defektit dhe se janë ndërmarrë hapat për rikthimin e ciklotronit në funksion.
Por për pacientët pyetja mbetet e njëjtë:
Kur do të ndizet përsëri aparati?
Sepse ministrat dhe funksionarët mund të ndërrohen, por hallet e pacientëve nuk presin.
Dhe për një pacient me kancer, koha nuk është thjesht një numër në kalendar – koha mund të jetë vendimtare për trajtimin dhe jetën e tij.
