Deklarata e drejtorit të NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Muamer Seferi, se dëmet nuk do të mbulohen pasi shpejtësia e erës ka qenë mbi 60 km/h, ka hapur pikëpyetje të mëdha për përgjegjësinë institucionale.
Dhjetëra qytetarë panë veturat e tyre të dëmtohen nga drunjtë e rrëzuar gjatë stuhisë, ndërsa në vend të një plani për t’i ndihmuar apo për të ofruar zgjidhje, morën një arsyetim se kushtet atmosferike përjashtojnë përgjegjësinë.
Për qytetarët që kanë pësuar dëme të konsiderueshme, një deklaratë e tillë tingëllon si shmangie e përgjegjësisë. Drejtimi i një institucioni publik nuk matet vetëm me menaxhimin e ditëve të qeta, por edhe me mënyrën se si reagohet kur ndodhin fatkeqësi dhe kur qytetarët kanë nevojë për mbështetje.
Në vend të justifikimeve, qytetarët presin përgjegjësi, transparencë dhe një zgjidhje konkrete për dëmet që kanë pësuar. Kur institucioni del para opinionit vetëm për të thënë se “nuk paguajmë asgjë”, besimi i qytetarëve në institucionet publike vihet seriozisht në pikëpyetje.
