Pacientët me transplant të veshkave dhe ata në dializë po përballen me mungesë të terapisë eritropoetinë (EPO) në sistemin shëndetësor, duke përfshirë edhe preparatet si Recormon dhe barna të tjera ekuivalente që janë pjesë kyçe e trajtimit të anemisë tek pacientët me sëmundje kronike të veshkave.
Sipas ankesave, ky ilaç nuk është i disponueshëm prej një periudhe të gjatë në institucionet shëndetësore, ndërsa nuk është siguruar as zëvendësim adekuat terapeutik dhe as një afat i qartë për normalizimin e furnizimit.
Për shkak të kësaj situate, një pjesë e pacientëve detyrohen ta sigurojnë terapinë vetë nga jashtë vendit, ndërsa të tjerë mbeten pa trajtimin e nevojshëm, duke u përballur me rrezik serioz për shëndetin dhe jetën e tyre.
Gjendja ka ngritur shqetësime serioze për menaxhimin e furnizimit me barna jetike në sistemin publik shëndetësor, si dhe për mungesën e planifikimit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme nga institucionet përgjegjëse.
Po ashtu kërkohet që Ministria e Shëndetësisë, Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe institucionet përkatëse të sqarojnë urgjentisht arsyet e mungesës së eritropoetinës, të prezantojnë plan konkret për furnizim të rregullt dhe të sigurojnë menjëherë disponueshmërinë e barnave për pacientët përmes importit emergjent.
Në të njëjtën kohë, kërkohet edhe përcaktimi i përgjegjësisë institucionale në rast se konstatohen dështime në planifikim, prokurime apo menaxhim të sistemit shëndetësor.
Theksohet se shëndetësia nuk duhet të funksionojë me improvizime, ndërsa jeta e pacientëve nuk guxon të mbetet peng i mungesës së barnave jetike.
