Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Maj, në Tiranë u zhvilluan protesta për të kërkuar kushte më të mira pune.
Unioni i Sindikatave organizoi një tubim përpara Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërsa një protestë tjetër u zhvillua paralelisht përpara Kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.
Me pankarta në duar si “Jeta e punëtorit nuk është kosto biznesi” dhe “Pagë për të jetuar, jo për të mbijetuar”, qytetarët shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj kushteve aktuale të punës.
Protestuesit adresuan disa kërkesa kryesore, mes tyre krijimin e një ministrie të posaçme për Punën.
Një nga protestuesit u shpreh se 1 Maji duhet të shihet si ditë proteste dhe jo feste. Ai ngriti shqetësimin për rritjen e aksidenteve në vendin e punës dhe mungesën e kontrolleve nga institucionet përgjegjëse.
“Sot është rritur numri i vdekjeve në vendin e punës me 45% krahasuar me një vit më parë. Është dyfishuar numri i aksidenteve në punë. Institucionet përgjegjësve nuk bëjnë kontrolle reale. Duhet të ketë një ministri Pune, veçanërisht për punëtorët. Duam siguri”, tha ai.
Sindikatat kërkuan gjithashtu që Parlamenti të miratojë sa më parë një minimum jetik, duke theksuar se shumë punëtorë në vend jetojnë në kushte të vështira ekonomike.
