🔴 Sulmohet kryetari i Sarajit, Muhamed Elmazi – dyshohet se sulmuesi është simpatizant i VLEN, MPB po heton rastin

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, është përballur me një incident para objektit të komunës, ndërsa rasti tashmë është raportuar dhe po hetohet nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Sipas informacionit të konfirmuar nga MPB për Portalb.mk, më 3 shtator, rreth orës 10:30, para Komunës së Sarajit ka ardhur një person i cili është sjellë në mënyrë agresive dhe ka drejtuar kërcënime ndaj kryetarit Elmazi dhe një të punësuari në administratën komunale.

“Ju informojmë se më 03.09.2026, në SPB Shkup, nga ana e kryetarit të Komunës së Sarajit është raportuar se po atë ditë, rreth orës 10:30, para Komunës së Sarajit ka ardhur një person i cili është sjellë në mënyrë agresive dhe ka drejtuar kërcënime ndaj kryetarit të komunës dhe një personi të punësuar në komunë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Ndërkohë, në opinion janë ngritur pretendime se personi i përfshirë në incident mund të jetë simpatizant i koalicionit VLEN. Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga MPB-ja, e cila deri tani nuk ka bërë të ditur identitetin e personit, motivin apo rrethanat e plota të incidentit.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.

Kush është personi që kërcënoi kryetarin e Sarajit? Cili ishte motivi i incidentit dhe a ka lidhje politike me VLEN? Këto janë pyetjet që pritet të marrin përgjigje nga hetimi i organeve kompetente.

Back To Top