Katër nga pesë dëshmitarët kyç në gjykimin për Lotarinë Shtetërore nuk e kanë përmendur fare Artan Grubin në dëshmitë e tyre, ndonëse përmes dëshmive të tyre duhej të dëshmohej ndikimi i tij real në funksionimin e institucionit.
Dëshmitarja e sotme, Nadije Hoxha, nuk e ka konfirmuar tezën e Prokurorisë për lidhjen e Grubit me ish-drejtorin e Lotarisë, Perparim Bajrami, pas së cilës prokurorët kanë kërkuar të drejtën për ta marrë në pyetje në mënyrë të kryqëzuar, duke e shpallur atë si “dëshmitare armiqësore”.
Hoxha, e cila prej dhjetë vitesh punon në Lotarinë Shtetërore, në sektorin e transportit, ka dëshmuar se nuk ka pasur asnjë marrëdhënie mes Artan Grubit dhe Perparim Bajramit në kuadër të Lotarisë.
Në pyetjen nëse Bajrami e kushtëzonte marrëdhënien e tij me Grubin duke iu referuar “shefit”, ajo është përgjigjur negativisht.
Pas këtyre përgjigjeve, prokurorët kanë kërkuar që dëshmitarja të mos trajtohet më si dëshmitare e tyre, përkatësisht t’u lejohet marrja e saj në pyetje në mënyrë të kryqëzuar. Megjithatë, edhe gjatë pyetjeve shtesë, Hoxha ka qëndruar pranë deklaratave të saj fillestare.
Sipas informacioneve nga procesi gjyqësor, nga pesë dëshmitarët kyç, përmes të cilëve duhej të dëshmohej ndikimi i Grubit, katër prej tyre nuk e kanë përmendur fare emrin e tij.
I vetmi që e ka përmendur ishte Andrej Krstevski. Ai ka deklaruar se Artan Grubi dhe Perparim Bajrami kishin afërsi në aspektin partiak dhe se i kishte parë së bashku në aktivitete partiake, por nuk ka përmendur ndonjë afërsi apo bashkëpunim konkret mes tyre në funksionimin e Lotarisë Shtetërore.
Në periudhën për të cilën bëhet fjalë në dëshmitë e dhëna, Grubi ishte funksionar i lartë i BDI-së, shef i kabinetit të liderit partiak Ali Ahmeti dhe zëvendëskryeministër në Qeveri.
Dëshmitë e dëshmitarëve janë të rëndësishme për vlerësimin e pretendimeve të Prokurorisë lidhur me ndikimin e Grubit, por ato, në vetvete, nuk përbëjnë përfundim përfundimtar mbi përgjegjësinë e tij penale. Gjykata duhet t’i vlerësojë ato së bashku me provat e tjera të administruara gjatë procedurës gjyqësore.
