BDI: 0 shqiptarë në shpërblimet shtetërore “8 Shtatori” – edhe suksesi i shqiptarëve po bëhet i padukshëm

BDI ka reaguar ashpër pas ndarjes së shpërblimeve shtetërore “8 Shtatori”, duke theksuar se edhe këtë vit asnjë shqiptar nuk është përfshirë në mesin e të shpërblyerve për arritje në sport.

“0 shqiptarë. Asnjë sportist, asnjë trajner, asnjë emër shqiptar nuk u konsiderua i denjë për këtë vlerësim shtetëror”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas kësaj partie, bëhet fjalë për një çështje që shkon përtej një liste shpërblimesh, pasi sportistët shqiptarë ndër vite kanë përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në gara ndërkombëtare, kanë fituar medalje dhe kanë kontribuar në zhvillimin e sportit.

“Kur vjen momenti për t’i vlerësuar, për ta nuk ka vend në listën shtetërore”, thekson BDI.

Partia pyet se cili është kriteri që, sipas saj, i bën shqiptarët “të padukshëm” edhe kur bëhet fjalë për sport dhe arritje profesionale.

“A është kjo ‘përfaqësimi i drejtë dhe adekuat’ që premtoi VLEN-i? Apo edhe një dëshmi tjetër se shqiptarët po trajtohen si qytetarë të dorës së dytë?”, pyet BDI.

BDI kërkon transparencë të plotë lidhur me kriteret, procedurën dhe përbërjen e komisionit që ka vendosur për shpërblimet “8 Shtatori”.

“Sepse 0 shqiptarë nuk mund të jetë gjithmonë rastësi. Kur përjashtimi përsëritet, ai bëhet politikë”, thuhet në reagim.

Në fund, BDI deklaron se nuk do të heshtë ndaj asaj që e cilëson si politikë të diskriminimit dhe të fshirjes së kontributit të shqiptarëve nga institucionet shtetërore.

Back To Top