Fondi për Sigurim Shëndetësor paralajmëron ndryshime në rregullat për pushimet mjekësore, me qëllim parandalimin e keqpërdorimeve dhe forcimin e kontrolleve.
Drejtori i Fondit, Zlatko Perinski, tha se mjekët amë së shpejti do të mund të japin pushim mjekësor deri në 5 ditë, në vend të 7 ditëve sa është aktualisht. Sipas tij, qëllimi nuk është kufizimi i të drejtës për pushim mjekësor, por krijimi i një sistemi më të drejtë dhe parandalimi i abuzimeve.
Kontrollet do të kryhen si pas denoncimeve nga punëdhënësit, ashtu edhe në mënyrë të rastësishme. Nëse kontrollori nuk e gjen personin në adresën e deklaruar gjatë pushimit mjekësor, do t’i lihet njoftim që të paraqitet para komisionit mjekësor dhe të japë shpjegim. Për rastin do të njoftohet edhe punëdhënësi.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu më shumë raste kur pushimi mjekësor mund të përcaktohet pa praninë fizike të pacientit, si dhe digjitalizimin e evidencave dhe dokumentacionit.
Sipas Perinskit, gjatë kontrolleve të kryera në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë konstatuar parregullsi në rreth 30 për qind të rasteve të shqyrtuara, ndërsa kontrollet dhe analizat do të vazhdojnë edhe në institucione të tjera dhe në sektorin privat.
Fondi ka parashikuar për vitin 2026 rreth 6.45 miliardë denarë për pushimet mjekësore dhe lejet e lindjes, çka, sipas drejtuesve të institucionit, kërkon mekanizma më të fortë kontrolli.
Ndërkohë, Fondi paralajmëron edhe ndryshime të tjera që lidhen me pacientët. Recetat e lëshuara nga shërbimet kujdestare pritet të mund të realizohen brenda 24 orëve, në vend të afatit aktual deri në mesnatën e së njëjtës ditë.
