BDI kërkon sqarim: A ishte vetura e zëvendësdrejtorit Mustafa Dauti pranë të arrestuarit për 17.500 euro ryshfet?

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkon sqarime nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me rrethanat e arrestimit në flagrancë të ndihmësdrejtorit të Drejtorisë së Doganave, i dyshuar për marrjen e 17.500 eurove ryshfet.

Sipas BDI-së, në opinion po qarkullon informacioni se në momentin e arrestimit, menjëherë pas veturës së personit të arrestuar, ndodhej edhe vetura e zëvendësdrejtorit të Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti.

BDI kërkon që MPB-ja të sqarojë nëse ky informacion është i saktë dhe, nëse po, kush ndodhej në veturën e zëvendësdrejtorit Dauti.

“Përse vetura e zëvendësdrejtorit të Doganave ishte në vendin dhe në momentin e arrestimit?”, pyet BDI-ja.

Partia kërkon gjithashtu të dijë nëse Mustafa Dauti apo personat që ndodheshin në veturën e tij janë marrë në pyetje nga organet kompetente dhe nëse hetimi po shqyrton mundësinë që rasti i 17.500 eurove të lidhet edhe me persona të tjerë në hierarkinë e Drejtorisë së Doganave.

“Kur një zyrtar kapet në flagrancë për një tender, hetimi nuk mund të përfundojë vetëm te personi që ka marrë paratë. Duhet të zbardhet i gjithë zinxhiri: kush e organizoi, kush e dinte dhe kush qëndronte pas tij”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI kërkon nga MPB-ja dhe Prokuroria që të japin përgjigje publike dhe të plota për të gjitha rrethanat e rastit. Gazeta Flaka

Back To Top