Shkodrane Dardhishta: “Çdo sakrificë ia ka vlejtur për këtë rini që nuk e ka harruar kontributin e brezave”
Shkodrane Dardhishta, në emisionin “Pastel”, ka folur për sakrificat e brezave të kaluar dhe për mënyrën se si, sipas saj, ato po reflektohen te rinia shqiptare e ditëve të sotme.
“Çdo sakrificë, çdo mund, çdo plumb, çdo plagë, çdo gjak i derdhur, çdo djersë e derdhur ia ka vlejtur për këtë rini”, u shpreh Dardhishta.
Ajo tha se rinia e sotme po dëshmon se e do atdheun dhe se ka vullnet për të kontribuar dhe për ta çuar përpara kauzën shqiptare.
“Rinia sot po tregon që din, mundet dhe mund të japë për atdheun, të japë kontribut dhe të ecë përpara kauzën shqiptare”, deklaroi ajo.
Dardhishta theksoi gjithashtu rëndësinë e punës me fëmijët dhe edukimit të tyre, duke thënë se pas një fëmije të edukuar qëndron një familje që ka investuar kohë dhe përkushtim.
“Nëse shoh një fëmijë të edukuar mirë kombëtarisht, atëherë dihet se pas tij qëndron një familje e fortë, që ia ka treguar gjërat historike, ka biseduar me të, ka ndarë kohë dhe ka investuar tek ai”, tha ajo.
Sipas Dardhishtës, brezi i ri shqiptar e ka kuptuar rëndësinë e kauzës dhe nuk e ka harruar kontributin e atyre që kanë sakrifikuar para tyre.
“Fëmijët e popullit shqiptar e paskan kuptuar mirë kauzën, paskan ecur mirë dhe nuk e kanë harruar kontributin e të gjithë neve. Është nder dhe privilegj që të qëndrojmë pas tyre”, përfundoi Dardhishta.
