Selami: E mbështetëm parkun, por kërkojmë respektimin e gjuhës shqipe

Selami: E mbështetëm parkun, por kërkojmë respektimin e gjuhës shqipe

Abdu Selam Selami, këshilltar i AKI-së në Qytetin e Shkupit, ka kërkuar përgjigje publike nga autoritetet për mungesën e gjuhës shqipe në tabelën mirëseardhëse të parkut të ri në Butel.

Në një status në Facebook, Selami uroi qytetarët e Butelit për parkun, i cili, sipas tij, është realizuar në kuadër të Buxhetit të vitit 2026 dhe Programit për Parqe dhe Gjelbërim. Ai tha se këshilltarët e opozitës kanë votuar pro projektit, pasi e mbështesin çdo investim në interes të qytetarëve.

Megjithatë, Selami kërkoi sqarim nga kryetari i Qytetit të Shkupit, kryetari i Komunës së Butelit dhe institucionet përgjegjëse se pse tabela nuk është vendosur edhe në gjuhën shqipe.

“A nuk janë edhe qytetarët shqiptarë pjesë e kësaj komune? A nuk kanë të drejtë t’i shohin dhe t’i lexojnë mbishkrimet publike edhe në gjuhën e tyre?”, shkroi ai.

Selami theksoi se përkrahja e investimeve duhet të shoqërohet edhe me respektimin e ligjeve dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve, ndërsa kërkoi përgjigje konkrete për mungesën e gjuhës shqipe në tabelë.

Back To Top