Sa herë duhet të poshtërohet gjuha shqipe që Bekim Sali dhe VLEN-i të kujtohen për përgjegjësitë e tyre?

Rasti i fundit me tabelën e Urës së Gurit në Shkup, ku nuk ishte përfshirë gjuha shqipe, ka rikthyer në vëmendje problemin e vazhdueshëm të respektimit të gjuhës shqipe në hapësirat publike dhe institucionale.

Tabela është hequr pas reagimit të zëvendëskryeministrit Bekim Sali, por pikërisht ky zhvillim ngre një pyetje të rëndësishme: Pse duhet që fillimisht shqipja të përjashtohet dhe më pas të pasojnë reagimet, ankesat dhe ndërhyrjet politike për ta korrigjuar një shkelje të tillë?

Bekim Sali dhe VLEN-i, të cilët mbajnë përgjegjësi politike në pushtet dhe kanë marrë përsipër të përfaqësojnë interesat e shqiptarëve, duhet të japin përgjigje se si lejohet që raste të tilla të përsëriten. Përfshirja e gjuhës shqipe nuk duhet të varet nga reagimet e momentit apo nga presioni publik, por duhet të jetë pjesë e zbatimit të rregullt të obligimeve institucionale.

Është e papranueshme që në një shtet ku statusi i gjuhës shqipe është i rregulluar me ligj, qytetarët të përballen vazhdimisht me raste ku shqipja mungon në tabela, mbishkrime apo komunikime publike, ndërsa korrigjimi vjen vetëm pasi çështja bëhet publike.

VLEN-i dhe përfaqësuesit e saj në qeveri duhet të sqarojnë se kush mban përgjegjësi për këto lëshime dhe çfarë masash konkrete do të ndërmerren që raste të tilla të mos përsëriten.

Gjuha shqipe nuk është çështje që duhet të trajtohet vetëm kur shpërthen një skandal. Respektimi i saj është obligim institucional dhe e drejtë e qytetarëve, jo një favor që duhet kërkuar sa herë që dikush vendos ta lërë jashtë.

Back To Top