BDI demanton VLEN-in me shifra: 12 shqiptarë nga 25 kadetë, ja si ishte përfaqësimi!

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe zëvendësministrit lidhur me konkursin e fundit për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake, duke akuzuar VLEN-in për përpjekje për të arsyetuar dështimet në përfaqësimin e shqiptarëve.

Nga BDI thonë se deklaratat e fundit nuk mund t’i fshehin faktet dhe as ta mjegullojnë përgjegjësinë për gjendjen aktuale.

Për të kundërshtuar pretendimet e zëvendësministrit, BDI rikthen në vëmendje të dhënat e vitit 2012, kur nga gjithsej 25 kadetë të pranuar, 12 ishin shqiptarë, 12 maqedonas dhe një boshnjak.

Sipas BDI-së, gjatë periudhës kur Akademia Ushtarake nuk ka funksionuar, kadetët shqiptarë janë shkolluar në Akademinë “Skënderbeu” në Tiranë, si dhe në Sofje e Ankara.

BDI ka kritikuar edhe arsyetimin e Ministrisë së Mbrojtjes se një kandidat shqiptar është renditur në vendin e 43-të në listën e rangimit, duke vlerësuar se ky argument dëshmon se sa është zbehur parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Nga BDI konsiderojnë se Ministria e Mbrojtjes, në frymën e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit, duhej të gjente zgjidhje që kandidati të pranohej.

Në fund, BDI thekson se përpjekjet për të arsyetuar situatën aktuale nuk mund t’i ndryshojnë shifrat, të cilat sipas tyre, flasin qartë për dallimin në përfaqësimin e shqiptarëve.

Back To Top