Kush do t’ua mbrojë studentëve të drejtën e gjuhës shqipe, kur as ministri Shasivari nuk e respekton?!

Një tjetër rast që ngre pikëpyetje për respektimin dhe përfaqësimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore lidhet me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari.

Gjatë takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, Shasivari i ka dhuruar një pllakë simbolike të Urës së Gurit në Shkup. Por ajo që bie në sy në këtë dhuratë është se mbishkrimi në pllakë është vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, ndërsa gjuha shqipe mungon plotësisht.

Ky veprim ngre një pyetje të drejtpërdrejtë: Si mund të kërkohet respektimi i gjuhës shqipe nga institucionet e tjera, kur edhe në veprimtarinë e një ministri shqiptar ajo nuk përfshihet?

Rasti bëhet edhe më domethënës në një kohë kur studentët shqiptarë kërkojnë mundësinë që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe dhe presin mbështetje nga institucionet përgjegjëse.

Në vend që gjuha shqipe të promovohet dhe të përfaqësohet në çdo nivel institucional, mungesa e saj në një simbolikë të tillë ngre dilema për kujdesin që tregojnë përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri ndaj kësaj çështjeje.

Kush do t’ua mbrojë studentëve të drejtën e gjuhës shqipe, nëse ata që mbajnë përgjegjësi institucionale nuk japin shembullin e respektimit të saj?

Deri më tani, mbetet e paqartë nëse ministri Shasivari ka dhënë ndonjë shpjegim lidhur me përzgjedhjen e kësaj pllake pa mbishkrim në gjuhën shqipe.

Back To Top