Këshilltarët e AKI-së bojkotojnë seancën solemne për festën e Kumanovës, akuzojnë Dimitrievskin për cenim të barazisë dhe dinjitetit të shqiptarëve

Këshilltarët e AKI-së në Këshillin e Komunës së Kumanovës kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në seancën solemne të organizuar me rastin e festës së qytetit, duke e shndërruar mospjesëmarrjen në një akt të hapur proteste ndaj kryetarit të komunës, Maksim Dimitrievski, dhe qëndrimeve të tij,

Në reagimin e tyre, këshilltarët e AKI-së arsyetuan vendimin me deklaratat e Dimitrievskit, të cilat i shërbejnë më shumë interesave dhe rejtingut partiak sesa ndërtimit të bashkëjetesës në një qytet multietnik. Ata vlerësuan se në kushtet kur nuk respektohet gjuha shqipe dhe cenohet dinjiteti i shqiptarëve, pjesëmarrja e tyre në ceremonitë zyrtare do të krijonte vetëm një imazh formal të unitetit dhe bashkëjetesës.

Këshilltarët theksuan se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e një aktiviteti ku prania e tyre do të shërbente si dekor, ndërsa çështjet e respektimit të barazisë dhe të drejtave të shqiptarëve mbeten të pazgjidhura. Për këtë arsye, ata deklaruan se do ta bojkotojnë festën e qytetit dhe u bënë thirrje shqiptarëve të Kumanovës që t’i bashkohen bojkotit dhe të distancohen nga politikat dhe qëndrimet e kryetarit Dimitrievski.

Në reagim, AKI-ja e lidhi vendimin për mospjesëmarrje me atë që e cilëson si dështim të kryetarit të komunës për të ndërtuar respekt dhe barazi mes komuniteteve në Kumanovë, duke theksuar se dinjiteti dhe respektimi i gjuhës nuk mund të trajtohen si çështje për kompromis.

Me këtë vendim, këshilltarët e AKI-së kanë paralajmëruar mospjesëmarrjen në një nga aktivitetet zyrtare të festës së qytetit, duke e kushtëzuar pjesëmarrjen në jetën ceremoniale komunale me respektimin e barazisë, gjuhës dhe dinjitetit të shqiptarëve.

Back To Top