Mickoski demanton Bilall Kasamin: Nuk ka provim 100% në gjuhën shqipe në Jurisprudencë!

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka përsëritur qëndrimin e tij se provimi i jurisprudencës nuk do të mund të mbahet tërësisht në gjuhën shqipe, duke vënë kufij të qartë ndaj modelit që kërkojnë studentët shqiptarë.

Mickoski ka bërë të ditur se modeli që Qeveria planifikon të shqyrtojë parasheh dy pjesë të provimit. Pjesa që lidhet me studimet universitare do të mund të jepet në gjuhën në të cilën kandidati ka përfunduar studimet, përfshirë shqipen, turqishten dhe anglishten.

Ndërkaq, pjesa që përfshin simulimin e proceseve gjyqësore, përkatësisht procedurat penale dhe civile, sipas Mickoskit, do të zhvillohet në gjuhën maqedonase.

“Si Qeveri nuk kemi qëndrim tjetër nga ky”, ka deklaruar Mickoski, duke konfirmuar se nuk do të ketë zgjidhje që provimi i jurisprudencës të mbahet 100 për qind në gjuhën shqipe.

Ky qëndrim bie ndesh me pritjet e shprehura më herët nga kryetari i Lëvizjes BESA dhe njëri prej përfaqësuesve të VLEN-it, Bilall Kasami, i cili kishte deklaruar se nëse studimet universitare përfundojnë në gjuhën shqipe, edhe provimi i jurisprudencës duhet të mundësohet në të njëjtën gjuhë.

Deklarata e fundit e kryeministrit rikthen në vëmendje dallimet mes pritjeve të studentëve shqiptarë dhe zgjidhjes që po propozon Qeveria, por edhe pikëpyetjet rreth asaj se deri ku mund të shkojë marrëveshja brenda koalicionit qeverisës për këtë çështje.

Për studentët shqiptarë, kërkesa mbetet e njëjtë: provimi i jurisprudencës të mund të jepet tërësisht në gjuhën shqipe.

Back To Top