Shkup – Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucionet shtetërore është sërish në qendër të debatit politik. Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka publikuar të dhëna për përfaqësimin etnik në nëntë institucione publike, duke ngritur pikëpyetje mbi realizimin e premtimeve të koalicionit VLEN.
Përmes një reagimi publik, Ademi ka kritikuar ashpër pushtetin, duke e lidhur mungesën e rezultateve me premtimet e parealizuara për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
“A e dini se pse gënjejnë? Dihet! Sepse s’kanë rezultate! Ja një pjesë të ndryshimit që na premtuan”, ka shkruar Ademi.
Sipas shifrave të publikuara prej tij, në nëntë institucionet e përmendura janë gjithsej 514 persona, prej të cilëve 496 maqedonas ose 96.50%, ndërsa vetëm 18 shqiptarë, përkatësisht 3.50%.
Institucionet e përmendura në reagimin e Ademit janë:
- Instituti i Shëndetit Publik: 60 maqedonas dhe 2 shqiptarë.
- Ministria e Administratës Publike: 11 maqedonas dhe asnjë shqiptar.
- Agjencia e Kadastrës së Paluajtshmërive: 9 maqedonas dhe 1 shqiptar.
- Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale: 4 maqedonas dhe asnjë shqiptar.
- Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim: 57 maqedonas dhe asnjë shqiptar.
- Policia Pyjore: 79 maqedonas dhe 2 shqiptarë.
- Spitali i Kumanovës: 80 maqedonas dhe asnjë shqiptar.
- Akademia Ushtarake: 34 maqedonas dhe asnjë kadet shqiptar.
- Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë: 162 maqedonas dhe 13 shqiptarë.
Në fund të reagimit, Ademi ka shprehur indinjatën e tij me një mesazh të shkurtër: “MARRE!!!”.
Publikimi i këtyre shifrave rikthen në vëmendje premtimet politike për përfaqësim të barabartë dhe hap çështjen e përgjegjësisë së institucioneve për zbatimin e parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Megjithatë, shifrat e publikuara nga Ademi paraqesin pretendimet e tij për këto institucione dhe kërkojnë verifikim të pavarur përmes të dhënave zyrtare.
