Llogaritë e „Parqeve dhe Gjelbërimit” të bllokuara prej muajsh, punonjësit ende pa paga – shpërthen revolta ndaj drejtorit Muamet Seferi: “Edhe ne kemi familje, edhe ne duhet të hamë!”

Një situatë shqetësuese raportohet në Ndërmarrjen Publike „Parqe dhe Gjelbërim” në Shkup, ku llogaritë e ndërmarrjes thuhet se janë të bllokuara prej muajsh, ndërsa punonjësit vazhdojnë të presin për pagat e tyre.

Përveç problemeve financiare, situata ka nxitur edhe pakënaqësi të hapur ndaj menaxhimit të ndërmarrjes nga drejtori Muamet Seferi. Një punonjës ka reaguar publikisht përmes një mesazhi të drejtuar pikërisht atij, duke shprehur revoltën për vonesat e pagave dhe vështirësitë me të cilat po përballen punëtorët dhe familjet e tyre.

„Ooo drejtor i PARK ZELENILO, ooo drejtor i reklamave, kap more shlona rrogë se edhe na kena fmi e kena familje, edhe na duhet me hangër u mitem tu punu ti hala rroga s’na ke shlu”, thuhet në reagimin e punonjësit.

Ky reagim pasqyron pakënaqësinë e punonjësve, të cilët pretendojnë se, pavarësisht se vazhdojnë të kryejnë punën e tyre, nuk po marrin pagat me të cilat sigurojnë jetesën e familjeve.

Bllokimi i llogarive për një periudhë kaq të gjatë dhe vonesat në pagesën e rrogave ngrenë pikëpyetje serioze mbi gjendjen financiare të ndërmarrjes dhe mënyrën se si po menaxhohet ajo.

Përgjegjësia për të sqaruar situatën bie edhe mbi drejtuesit e ndërmarrjes. Drejtori Muamet Seferi duhet të japë përgjigje lidhur me arsyet e bllokimit të llogarive, vonesat në pagesat e punonjësve dhe masat që po ndërmerren për tejkalimin e krizës.

Punonjësit nuk mund të mbeten peng të problemeve financiare dhe menaxheriale të ndërmarrjes. Pas muajsh pritjeje, kërkesa e tyre është e qartë: pagat e fituara me punë dhe siguria se familjet e tyre nuk do të mbeten pa të ardhura.

Back To Top