Shaqiri u bën thirrje shqiptarëve të Butelit: Ndryshoni vendbanimin në dokumente, synojmë një komunë shqiptare!

Deputeti Rijad Shaqiri u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Komunën e Butelit, por që në dokumentet personale figurojnë me vendbanim në komuna të tjera, të bëjnë ndryshimin e adresës zyrtare, duke e regjistruar vendbanimin aty ku jetojnë realisht.

Kjo thirrje u bë gjatë një interviste në emisionin “IMPAKT” në TV SHENJA, ku Shaqiri foli për përfaqësimin demografik dhe politik të shqiptarëve në Komunën e Butelit.

Shaqiri kërkoi mobilizim të qytetarëve, subjekteve politike dhe shoqërisë civile, duke theksuar rëndësinë që shqiptarët që jetojnë në këtë komunë të kenë edhe vendbanimin e regjistruar zyrtarisht në Butel.

Sipas tij, evidentimi i saktë i vendbanimit të qytetarëve është një çështje me rëndësi për të ardhmen politike të komunës dhe për zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Çdokush prej tyre ta bëjë ndryshimin e dokumenteve personale konform vendit ku jeton”, ishte thirrja e Shaqirit.

Ai shkoi edhe më tej, duke shprehur ambicien që Buteli në të ardhmen të bëhet komunë me shumicë shqiptare, duke e krahasuar këtë synim me zhvillimet në Bërvenicë.

Deklarata e Shaqirit rikthen në vëmendje çështjen e vendbanimit zyrtar, përfaqësimit të shqiptarëve dhe ndikimit që struktura demografike ka në zhvillimet politike dhe institucionale në nivel lokal.

Back To Top