Iniciativa parlamentare e deputetit të AKI-së, Salih Murat, lidhur me gjendjen dhe mirëmbajtjen e Çarshisë së Vjetër Turke në Shkup, ka marrë një zhvillim konkret. Qyteti i Shkupit ka nisur punimet për ndërrimin e pllakave të dëmtuara në këtë zonë historike.

Më 24 prill 2026, Salih Murat i kishte drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit një pyetje parlamentare me shkrim, duke ngritur shqetësimin për mungesën e mirëmbajtjes dhe gjendjen e dëmtuar të pllakave në Çarshinë e Vjetër.

Pas ngritjes së kësaj çështjeje në Kuvend dhe përcjelljes së saj pranë institucioneve përkatëse, kanë nisur punimet në terren për përmirësimin e infrastrukturës së çarshisë.
Përmes një reagimi publik, Murat e cilësoi këtë zhvillim si një sukses për Çarshinë e Vjetër, duke theksuar se përgjegjësia e një deputeti nuk përfundon vetëm me ngritjen e çështjeve në Kuvend, por kërkon edhe ndjekjen e tyre deri në veprime konkrete.
Ai rikujtoi se Çarshia e Vjetër e Shkupit përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë shekullore dhe trashëgimisë kulturore, mbrojtja dhe mirëmbajtja e së cilës është përgjegjësi e përbashkët.
Nisja e punimeve vjen pas iniciativës së deputetit Murat, i cili theksoi se do të vazhdojë të angazhohet për ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore të Shkupit.
