Partneri qeveritar Bilal Kasami nga koalicioni Vredi e ka humbur mbështetjen e VMRO-DPMNE-së për një mandat të dytë si kryetar i Tetovës, dhe pritet që votuesit e VMRO-së në raundin vendimtar të dytë të zgjedhjeve të mos votojnë për të, informon për “Sloboden Pechat” një funksionar i lartë i VMRO-DPMNE-së.
Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i ka përcjellë Kasamit mesazhin se çdo veprim ka reagim, duke konfirmuar kështu se kryetari i Tetovës nuk duhet të shpresojë për mbështetje, pasi pavarësisht partneritetit qeveritar ai publikisht tha se në raundin e dytë do ta mbështesë Fatmir Deharin e BDI-së për mandat të ri në Kërçovë.
Pas zgjedhjeve lokale dhe me ristrukturimin e paralajmëruar të Qeverisë, nuk do të ishte befasi nëse Mickoski i falënderon Besës për pjesëmarrjen e deritanishme në “Ilindenska”.
Mickoski nuk e fshehu pakënaqësinë e tij nga deklarata e Kasamit që në raundin e dytë, në vend se ta mbështesë kandidatin e VMRO-së në Kërçovë, të japë përkrahje etnike për Deharin.
“Nuk e shoh dallimin mes tyre dhe Aliut nga Zajasi, të cilin duan ta zëvendësojnë”, tha Mickoski.
– Duhet të kuptojë se gjithmonë jam i gatshëm të bashkohemi në këto zgjedhje dhe të mbështesim vlera, e jo të ndahemi për tema etnike dhe pyetje përmes prizmit të shovinizmit dhe dallimeve të ngjashme. Të gjithë ata që mendojnë se me tema etnocentrike do të fitojnë diçka në politikë, le ta shohin rënien e BDI-së dhe do ta kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë. Kjo është një mësim i mirë edhe për politikanë të tjerë që duan të jenë partnerë koalicioni – duhet të bashkohen mbi vlera, jo mbi ndarje etnike. Nëse nuk është kështu, atëherë nuk e shoh asnjë dallim midis tyre dhe Ali Ahmetit nga Zajasi, të cilin duan ta zëvendësojnë – tha Mickoski.
Sipas tij, është gabim që njerëzit të trajtohen si “kontingjent votash” që mund t’i drejtojë dikush.
– Askush prej nesh nuk i ka votat në xhep. Mbështetja ndërtohet mbi vlera, jo mbi përkatësi etnike. Çdo veprim ka reagim, dhe unë gjithmonë do të veproj siç është më mirë për qytetarët dhe shtetin – i ka thënë Mickoski Kasamit.
Nga mitingu në komunën Aerodrom, Mickoski ishte edhe më i ashpër, duke theksuar se në politikë duhet të kesh qëllim dhe strategji, dhe se VMRO-DPMNE, në rrugën e realizimit të qëllimeve të saj, nuk ka kërkuar asgjë përveç respektit për sakrificën e bërë për të tjerët – respekt që nuk e ka marrë dhe që nuk do ta harrojë.
– Ndërsa realizonim këto qëllime strategjike, VMRO-DPMNE gjakosi dhe sakrifikoi. Ishte e vështirë kur shikoja bashkëpartiakët tanë nga Tetova, Gostivari, Struga, Çairi, Dibra… dhe për këtë kemi paguar çmim. Ne nuk kërkojmë asgjë në këmbim, vetëm respekt për sakrificën që kemi dhënë. Nuk e morëm dhe nuk do ta harrojmë. Tani të fokusohemi në 2 nëntor dhe të dalim masivisht në zgjedhje – tha Mickoski.
Kasami në raundin e dytë në Tetovë pa 2.000 vota të VMRO-së
Sipas funksionarit, VMRO-DPMNE në raundin e parë i kishte “dhuruar” Kasamit rreth 2.000 vota, por pas deklaratës së tij, është e vështirë që ato vota të përsëriten në raundin e dytë. Kasami aktualisht kryeson ndaj kandidatit të BDI-së Bajram Rexhepi me rreth 4.000 vota (19.028 kundrejt 15.272).
Që Mickoski vështirë se do ta falë Kasamin, jo vetëm në nivel lokal por edhe qendror, e la të kuptohej edhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski në një deklaratë për radion “Lider”. Ai tha se bashkëpunimi në qeveri mund të vazhdojë vetëm mbi parime dhe vlera.
– Nëse Bilal Kasami dëshiron të jetë alternativë ndaj Teuta Arifit në Tetovë, nuk mund të sillet njësoj si ata. Ai nuk duhet të turpërohet nga fakti që maqedonasit në Tetovë votuan për të në raundin e parë – tani duhet t’u shpërblejë besimin atyre. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin në qeveri, por vetëm mbi parime dhe vlera. Nuk mund të mbash mitingje duke thënë se duhet të fitojë Bilali që të mos kthehet BDI-ja, e në të njëjtën kohë të thuash “në Kërçovë votoni për BDI”. Kjo është politikë jo parimore – tha Nikollovski.
Sa do ta kushtojë Kasamin kjo deklaratë dhe a do të dalë Besa nga qeveria, do të dihet pas zgjedhjeve lokale. Jozyrtarisht, tashmë po testohet terreni për hyrjen e mundshme të Aleancës për Shqiptarët të Zijadin Selës në qeveri në vend të Besës. Në këtë kontekst, është e mundur që VMRO-DPMNE në Strugë ta mbështesë kandidatin e ASh-së, Arsim Dalipi, në vend të kandidatit të pavarur të mbështetur nga Vredi, Mendi Qyra.
Pas raundit të parë, Qyra është vetëm 200 vota përpara Dalipit (9.934 kundrejt 9.719). Rezultati në raundin e dytë do të jetë treguesi i parë nëse mund të ndryshojë partneri qeveritar në nivel qendror.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se nuk kanë informata për ndonjë kontakt me VMRO-DPMNE-në për hyrje në qeveri dhe përsërisin se pa zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk hyjnë në pushtetin ekzekutiv.
Në të kundërt me Kasamin, i cili paralajmëroi mbështetje për Deharin në Kërçovë, Vredi u distancua nga deklarata e tij, duke theksuar se “banorët e Kërçovës vetë do të vendosin kë do të mbështesin” dhe se për ta “morali publik nuk është objekt pazari”.
Ndërkohë, Izet Mexhiti dha mbështetje të hapur për kandidatët e lëvizjes ZNAM – Maksim Dimitrievski për Kumanovë dhe Mirosllav Labudoviq për Qendër.
Më herët, para fillimit të fushatës zgjedhore, Kasami kishte bërë thirrje që shqiptarët “ta rikthejnë Brvenicën”, për çka Mickoski i kishte thënë të mos bjerë në folklorin e BDI-së.
