Raporti i Progresit për RMV-në, ndryshimet kushtetuese një ndër pikat më të rëndësishme në rrugëtimin drejt BE-së

Në një draft të raportit të progresit për vitin 2024, i publikuar nga Radio Evropa e Lirë, për Maqedoninë e Veriut theksohet se vendi ende nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të përfshirë në Kushtetutë edhe banorët që jetojnë në zonat kufitare dhe e identifikojnë veten me shtetësi të tjera, përfshirë atë bullgare.

Sipas draftit të raportit, autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë bërë përpjekje për të përmirësuar fushat kyçe si sundimi i ligjit, reforma e administratës publike, dhe mbrojtja e të drejtat e minoriteteve. Megjithatë, gjithsesi, vërehet se vështirësitë në miratimin e ndryshimeve kushtetuese vazhdojnë të mbeten një pengesë e madhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Maqedonia e Veriut duhet t’i intensifikojë përpjekjet për mbështetje të sundimit të ligjit, sidomos për ruajtje të pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit, si dhe të rrisë luftën kundër korrupsionit,” thuhet në raport. Kjo pasqyrë e situatës në vend vë në dukje se, përkundër disa përpjekjeve për reforma, arritjet e mëdha për t’u bërë anëtar i BE-së mbeten ende larg.

Për krahasim, në të njëjtin raport, Shqipëria është lavdëruar për përparimin e saj të shpejtë në reformat e nevojshme dhe hapjen e negociatave në pesë grupe kapitujsh, një rezultat që ka qenë i paimagjinueshëm më parë. Raporti gjithashtu vlerëson arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, me një fokus të veçantë në sukseset e SPAK-ut dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Për Maqedoninë e Veriut, megjithatë, sfidat e brendshme dhe procesi i ngadalshëm i ndryshimeve kushtetuese vazhdojnë të jenë një nga pengesat kryesore për një kalim më të shpejtë në rrugën për në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top