Aktivisti i VLEN-it shpërthen ndaj drejtuesve: “Ne ju sollëm votat, ju morët pozitat, ndërsa aktivistët nuk kanë bukë për të ngrënë!”

Pakënaqësitë brenda strukturave të VLEN-it duket se po dalin gjithnjë e më hapur në sipërfaqe. Një aktivist i këtij koalicioni ka reaguar ashpër ndaj drejtuesve partiakë dhe funksionarëve që mbajnë pozita në Qeveri, duke i akuzuar se kanë harruar njerëzit që punuan për sigurimin e votave.

Në reagimin e tij, aktivisti u drejtohet drejtorëve, zëvendësdrejtorëve, ministrave, deputetëve dhe kryetarëve të partive, duke pyetur nëse pushteti është marrë për t’u shërbyer vetëm interesave personale dhe rrethit të ngushtë familjar apo edhe aktivistëve që kontribuuan në fushatë.

Ai thekson se gjatë fushatës aktivistët kanë punuar ditë e natë, pa gjumë, pa ushqim dhe pa pushim, madje duke shpenzuar edhe para nga xhepi i tyre për të mbledhur vota, ndërsa tani, sipas tij, të njëjtët njerëz janë lënë pas dore.

“Dy ditë pa gjumë, tu nga për juve, pa hanger e pa pi, stres dhe jep edhe pare xhepi. E sot veç interesat e juaja i shikoni, e të aktivistëve që s’kemi bukë me hanger, s’ju intereson”, shprehet ai në reagimin e tij.

Aktivisti shkon edhe më tej, duke kërkuar që drejtuesit të reflektojnë për mundësitë e punësimit dhe për gjendjen e aktivistëve, ndërsa u bën thirrje që të mos mendojnë vetëm për mandatin aktual.

“Lëshojeni Qeverinë më mirë, se u kurzit me njerëz”, është një tjetër nga porositë e tij drejtuar funksionarëve të VLEN-it.

Në fund, ai kërkon që drejtuesit të mendojnë përtej tre apo katër viteve të mandatit, duke u kujtuar se mbështetja politike nuk ndërtohet vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por kërkon edhe përgjegjësi ndaj njerëzve që qëndrojnë pas saj.

Ky reagim ngre pikëpyetje mbi pakënaqësitë në bazën e VLEN-it dhe raportin mes funksionarëve që kanë marrë pozita institucionale dhe aktivistëve që kanë kontribuuar në fushatat zgjedhore.

Back To Top