Çashka nis të frymojë shqip – Për herë të parë një shqiptar në krye të Ndërmarrjes Publike Komunale
Çashka po hyn në një kapitull të ri institucional. Kryetari i Komunës së Çashkës, Suat Shaqiri, ka emëruar Shenasi Fazliun në pozitën e Drejtorit të Ndërmarrjes Publike Komunale “Topolka”, duke shënuar për herë të parë emërimin e një shqiptari në krye të kësaj ndërmarrjeje publike.
Sipas njoftimit të kryetarit Shaqiri, ky emërim pritet të reflektojë pozitivisht në funksionimin e ndërmarrjes dhe në përmirësimin e menaxhimit të shërbimeve publike në të gjitha vendbanimet e komunës.
“Me emërimin e Shenasi Fazliut jam i bindur se me përkushtim dhe përgjegjësi do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarëve”, ka deklaruar Shaqiri.
Ai ka theksuar se Komuna e Çashkës tashmë ka filluar të marrë një drejtim të ri zhvillimi, duke garantuar se vendbanimet do të kenë një pamje tjetër dhe se pastërtia dhe higjiena do të jenë prioritet kryesor i menaxhimit të ri.
Emërimi i Fazliut vlerësohet si një hap simbolik dhe praktik njëkohësisht, që dëshmon se ardhja e një shqiptari në krye të Komunës së Çashkës ka filluar të japë rezultate konkrete. Për shumë qytetarë, kjo është hera e parë që komuna “frymon shqip” edhe në drejtimin e ndërmarrjeve publike.
Në fund, kryetari Shaqiri i ka uruar suksese drejtorit të ri në këtë detyrë të rëndësishme, duke shprehur besimin se puna dhe rezultatet do të flasin vetë në kohën që vjen.
