Që prej largimit të Izet Mexhitit nga qeveria, një gjë është bërë e qartë: ai praktikisht është zhdukur nga skena politike. Nuk është më prezent në media, nuk është më adresë për diplomatët, nuk ftohet në takime me liderë rajonalë dhe ndërkombëtarë, dhe në mbledhjet e rëndësishme politike anashkalohet sikur të mos ekzistojë.
Dikur figurë qendrore e opozitës shqiptare, sot Mexhiti është reduktuar në një kryetar komune që lufton për mbijetesë lokale, ndërsa pesha e tij politike jashtë Çairit është pothuajse zero.
Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a ishte “fitorja” në Çair një sukses apo një kurth?
Sepse ajo që u paraqit si fitore e VLEN-it në Çair ishte në fakt një fitore e VMRO-DPMNE-së, e ndërtuar mbi votë-blerje, presion dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga strukturat e pushtetit. Një “fitore” që nga dita e parë ishte e helmuar politikisht.
Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se Çairi nuk ishte trampolinë, por kafaz. Në përpjekjen për ta mbajtur me çdo kusht komunën – për ta kontrolluar territorin ku janë përqendruar dosjet më të rënda të ndërtimeve pa leje, uzurpimeve dhe interesave të errëta – Mexhiti e lidhi gjithë fatin e tij politik pas një zone që sot është nën lupën e prokurorisë.
Dy lëndë të mëdha në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, që prekin drejtpërdrejt Komunën e Çairit, e kanë kthyer atë nga “bastion politik” në rrezik juridik. Dhe kur një politikan mbrohet më shumë nga dosjet sesa nga votat, ai pushon së qeni aktor politik dhe kthehet në menaxher të krizës personale.
Në vend që Çairi ta ngrinte Mexhitin në nivel shtetëror, ai e mbylli aty.
Nga lider që fliste për fatin e shqiptarëve në shtet, u shndërrua në kryetar komune që lufton për të mbijetuar mes betonit ilegal dhe aktakuzave që po afrohen.
Kjo është arsyeja pse sot ai nuk është më faktor në tavolinat ku merren vendime, nuk është më adresë për ambasadorët dhe nuk është më pjesë e lojës së madhe politike.
