Skandal në Çair: Shkolla më e madhe fillore mbyllet për shkak të mungesës së ngrohjes, fëmijët mbeten në shtëpi, Kryetari Komunës nëpër Europë

Sot, Shkolla Fillore “Ismail Qemali” në Çair – një nga shkollat më të mëdha dhe më të frekuentuara në komunë – nuk ka funksionuar. Nxënësit nuk janë pranuar në mësim për shkak të mungesës së ngrohjes, duke lënë qindra fëmijë dhe familje në pasiguri totale.

Prindërit, nxënësit dhe vetë mësimdhënësit nuk kanë asnjë informacion të qartë nëse mësimi do të zhvillohet nesër. Nga shkolla është paralajmëruar se, në mungesë të zgjidhjes urgjente, mund të kalohet në mësim online – një absurditet i plotë për një problem që lidhet me menaxhimin bazik të komunës.

Kjo situatë përbën një skandal të paprecedentë. Në asnjë komunë tjetër të vendit nuk është parë që një shkollë publike të mbyllet për shkak të paaftësisë për të siguruar ngrohje në mes të dimrit. Ndërkohë që fëmijët e Çairit mbesin në shtëpi, pa mësim dhe pa siguri, kryetari aktual i komunës shfaqet në udhëtime jashtë vendit, në shoqëri me ish-kryetarin, duke shijuar vizita evropiane.

Kontrasti është tronditës: fëmijët nuk mund të ndjekin mësimin për shkak të mungesës së ngrohjes, ndërsa udhëheqja komunale sillet sikur gjithçka funksionon normalisht. Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi, por përbuzje ndaj qytetarëve dhe ndaj të drejtës themelore të fëmijëve për arsim.

Komuna e Çairit ka dështuar në detyrën më elementare: të sigurojë kushte minimale për nxënësit. Kërkohet reagim urgjent, transparencë dhe përgjegjësi politike. Çdo orë heshtjeje është një orë e humbur për fëmijët e Çairit.

Back To Top