Orbani ra, Vuçiqi pas tij, a po i vjen fundi Mickoskit?! Filipçe e paralajmëroi!
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kishte përcjellë një mesazh të fortë politik lidhur me zhvillimet në rajon, duke tërhequr paralele mes situatës në Serbi dhe asaj në Maqedoninë e Veriut.
Duke komentuar protestat e vazhdueshme të studentëve në Serbi, Filipçe kishte vlerësuar se rinia po krijon mundësi për ndryshime politike, duke akuzuar pushtetin e Aleksandar Vuçiqit për parregullsi zgjedhore, presion ndaj të punësuarve në sektorin publik dhe kontroll mbi mediat.
Filipçe kishte tërhequr paralele edhe me periudhën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit në Maqedoni, duke paralajmëruar për rrezikun e përsëritjes së situatave të ngjashme.
“Orbani ra. Tani radhën e ka Vuçiqi. Të gjithë e dimë kush është i radhës, kush është pjesë e atij grupi të organizuar kriminal”, kishte deklaruar Filipçe.
Në të njëjtën kohë, kreu i LSDM-së kishte shprehur mbështetjen e tij për lëvizjen studentore në Serbi, duke vlerësuar protestat paqësore dhe demokratike të të rinjve pas gati dy vitesh mobilizim. Mesazhin e tij ai e kishte përmbyllur me fjalët: “Studentët fitojnë!”
Filipçe kishte kritikuar gjithashtu marrëdhëniet mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar Mickoskin për një qasje të nënshtruar ndaj liderit serb.
Tani, deklaratat e tij rikthejnë në vëmendje pyetjen nëse zhvillimet politike në rajon mund të kenë jehonë edhe në Maqedoninë e Veriut.
Pas Orbanit dhe paralajmërimit për Vuçiqin, a po i vjen radha Mickoskit? Kjo mbetet një pikëpyetje politike, ndërsa zhvillimet e ardhshme do të tregojnë nëse skena politike maqedonase do të përballet me sfida të ngjashme.
