Filkovit nuk i bëhet vonë për peticionin: Provimi i jurisprudencës do mbahet vetëm në maqedonisht!

Agjencia e lajmeve INA ka siguruar dokumentin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, i cili i jep fund shpresave të studentëve shqiptarë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Përmes kësaj përgjigjeje, Ministria që drejtohet nga Igor Filkovi i ZNAM-it, ka refuzuar zyrtarisht peticionin e studentëve të fakulteteve juridike, duke argumentuar se ky provim do të vazhdojë të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase.

Në dokumentin që posedon INA, Sektori për Gjyqësor pranë Ministrisë së Drejtësisë sqaron se kërkesa e studentëve nuk mund të pranohet për shkak të “korelacionit me ligjet e tjera relevante”. Sipas Ministrisë, ligjet për gjykatat, prokurorinë dhe avokatinë e bëjnë të detyrueshme që kandidatët të zotërojnë në mënyrë aktive gjuhën maqedonase.

“Verifikimi i njohjes aktive të gjuhës maqedonase bëhet pikërisht përmes dhënies së provimeve në gjuhën maqedonase”, thuhet shprehimisht në dokumentin e siguruar nga INA.

Argumentet e Ministrisë kundër gjuhës shqipe:
• Mungesa e ligjit: Ministria pretendon se Ligji për provimin e jurisprudencës nuk parashikon dhënien e tij në asnjë gjuhë tjetër përveç maqedonishtes.
• Filtër për profesionet: Pasi ky provim është kusht për t’u bërë gjyqtar, prokuror apo avokat, Ministria vlerëson se kandidatët duhet të dëshmojnë njohuritë e tyre në gjuhën maqedonase si gjuhë parësore zyrtare.
• Hierarkia ligjore: Edhe pse gjuha shqipe njihet si gjuhë zyrtare, Ministria arsyetohet se kjo nuk e devalvon pozitën kushtetuese të gjuhës maqedonase si gjuhë primare në sistemin juridik.

Ky vendim vjen pas peticionit të studentëve shqiptarë të cilët kërkuan që, në frymën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, t’u mundësohet dhënia e provimit dhe sigurimi i materialeve në gjuhën amtare. Refuzimi i Ministrisë pritet të ngjallë reagime të ashpra, pasi konsiderohet si barrierë për kuadrot shqiptare në sistemin e drejtësisë.

Dokumenti mban datën 4 shkurt 2026 dhe është i nënshkruar nga Sektori për Drejtësi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. (INA)

Back To Top