VLEN flet për BE me eurodeputetë, Mickoski flet për “JO” – kush po e udhëheq realisht procesin?

Ndërsa përfaqësuesit e VLEN-it zhvillojnë takime me eurodeputetë dhe flasin për perspektivën evropiane të vendit, realiteti politik në Shkup tregon një tablo krejt tjetër. Kryeministri Hristijan Mickoski ka qenë i prerë në Parlament: “Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese derisa jam unë kryeministër.” Një deklaratë që praktikisht e mbyll derën për çdo hap konkret drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst, shtrohet pyetja thelbësore: çfarë peshe reale kanë takimet e VLEN-it në Bruksel, kur në shtëpi vendimi final është një “JO” e qartë dhe publike nga kreu i qeverisë?

VLEN përpiqet të shfaqet si faktor pro-evropian, duke komunikuar me eurodeputetë si Thomas Waitz dhe duke folur për zhvillime politike e anëtarësim në BE. Por pa dritë jeshile nga Mickoski, këto takime rrezikojnë të mbeten vetëm fotografi protokollare dhe deklarata boshe për konsum medial.

Nëse kryeministri refuzon ndryshimet kushtetuese – kusht kyç për vazhdimin e procesit integrues – atëherë VLEN ose nuk ka ndikim në vendimmarrje, ose po luan një rol dekorativ brenda pushtetit. Të dyja variantet janë problematike dhe e vendosin këtë subjekt politik përballë një përgjegjësie serioze ndaj elektoratit.

Retorika për BE nuk mjafton. Integrimi nuk bëhet me takime simbolike, por me vendime politike. Dhe sot, vendimi kryesor vjen nga Mickoski – jo nga VLEN.

Në fund, dilema mbetet e hapur:

a është VLEN pjesë e një pushteti që realisht punon për BE-në, apo thjesht mbulesë “evropiane” për një qeveri që ka zgjedhur bllokadën?

Back To Top