Kryeministri Hristijan Mickoski ka dërguar një mesazh të qartë ndaj partnerëve të koalicionit, duke vendosur në pikëpyetje kërkesat dhe presionet e mundshme nga VLEN.
I pyetur në konferencën e sotme për media lidhur me spekulimet se nga Lëvizja BESA mund të kërkohet shkarkimi i ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, Mickoski u shpreh se nuk ka informacion për një iniciativë të tillë dhe theksoi se është i kënaqur me punën e ministrit.
“Vlerësoj se ministri Limani është vlerë e shtuar në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Ai po kryen detyrën me përgjegjësi dhe rezultate konkrete”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri gjithashtu nënvizoi autoritetin e tij në formimin dhe funksionimin e kabinetit qeveritar, duke dërguar një sinjal të qartë ndaj çdo përpjekjeje për ndërhyrje politike.
“Unë jam mandatar dhe unë e formoj Qeverinë”, tha ai.
Deklarata e Mickoskit shihet si mbështetje e fortë për ministrin Fatmir Limani dhe një përgjigje direkte ndaj zërave brenda VLEN-it, duke bërë të qartë se vendimet për përbërjen e Qeverisë nuk diktohen nga presione partiake, por nga performanca dhe vlerësimi institucional.
