Mungesa e kadetëve shqiptarë në Akademinë Ushtarake ka nxitur reagime dhe pikëpyetje mbi përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë, ndërsa nga zv.ministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, ka ardhur një deklaratë që pritet të ngjallë debat.
Shabani, përfaqësues i VLEN-it në dikasterin e Mbrojtjes, ka pranuar se trendi i përfaqësimit të shqiptarëve në këtë drejtim është në rënie dhe se situata është shqetësuese. Megjithatë, në vend të një përgjigjeje konkrete se çfarë masash do të ndërmerren, ai është arsyetuar se VLEN nuk mund t’i detyrojë kandidatët shqiptarë të bëhen oficerë profesionistë të ushtrisë.
“Nuk jemi në shekullin XV!”, është shprehur Shabani, duke shtuar se kjo çështje nuk mund të zgjidhet brenda natës dhe se nevojitet një qasje sistematike për orientimin e të rinjve shqiptarë drejt këtij profesioni, që nga shkolla e mesme.
Por pikërisht këtu lindin pyetjet për përgjegjësinë institucionale dhe politike të VLEN-it: nëse trendi është në rënie dhe situata është shqetësuese, çfarë ka bërë konkretisht dikasteri i Mbrojtjes për ta ndryshuar këtë gjendje? A ka pasur programe konkrete informimi, bursa, fushata orientuese apo masa për të nxitur interesimin e të rinjve shqiptarë?
Askush nuk kërkon që kandidatët të detyrohen të zgjedhin karrierën ushtarake. Por nga përfaqësuesit shqiptarë në institucione pritet të krijojnë kushte dhe mundësi të barabarta, të nxisin interesimin dhe të punojnë për përfaqësim të drejtë.
Për një çështje kaq të rëndësishme, përgjigjja se shqiptarët nuk mund të detyrohen nuk i jep fund debatit. Përkundrazi, e hap edhe më shumë diskutimin mbi përgjegjësinë e atyre që kanë marrë mandat për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Nga premtimet për përfaqësim te zero kadetë shqiptarë – tani mbetet të shihet se cilat do të jenë veprimet konkrete të VLEN-it dhe zv.ministrit Admir Shabani.
