BDI: Dy-tre kushërinj e kanë kapur Çairin peng për gati 20 vjet

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar sot me rastin e përfundimit të 100 ditëve të para të mandatit të ri të qeverisjes në Komunën e Çairit, duke vlerësuar se nuk ka pasur asnjë ndryshim real për qytetarët.

Sipas BDI-së, këto 100 ditë kanë treguar vazhdimin e së njëjtës praktikë që e ka shoqëruar komunën për më shumë se dy dekada: ndërtime pa leje pa asnjë kontroll institucional, përfshirë edhe ndërtime të reja mbi objekte tashmë ilegale, korrupsion të rëndë, kapje partiake të institucioneve dhe nepotizëm të paprecedentë.

Nga BDI theksojnë se institucionet komunale nuk po funksionojnë si shërbim për qytetarët, por si zyra partie, duke përmendur kaosin urban, mungesën e theksuar të higjienës publike, uzurpimin e pronës shtetërore dhe keqpërdorimin sistematik të resurseve publike.

“Premtimet zgjedhore kanë mbetur vetëm në letra dhe postime, ndërsa mashtrimi është shndërruar në mënyrë qeverisjeje”, thuhet në reagim.

Sipas BDI-së, këto 100 ditë janë vetëm paralajmërim i asaj që mund të ndodhë në katër vitet e ardhshme, nëse vazhdon i njëjti model i keqqeverisjes, ku interesat e një grupi të vogël vendosen mbi interesin publik dhe të ardhmen e Çairit.

BDI vlerëson se qytetarët e Çairit meritojnë institucione funksionale, sundim të ligjit, zhvillim urban të rregullt dhe një administratë që punon për qytetarët, e jo për pasurimin e “dy-tre kushërinjve”.

Në fund, nga BDI paralajmërojnë se do të vazhdojnë ta ngrenë zërin, me fakte dhe përgjegjësi, për mbrojtjen e interesit publik dhe dinjitetit të qytetarëve të Çairit.

Back To Top