Afrim Gashi informon me dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka paralajmëruar dorëheqjen nga funksioni i tij në rast se nuk arrihet marrëveshje për transformimin e koalicionit VLEN në një parti të vetme politike.

Gashi theksoi se mbetet me shpresë që të gjendet një zgjidhje e përbashkët, por nënvizoi se për Alternativan dy parime janë thelbësore gjatë këtij transformimi: barazia ndërmjet subjekteve dhe vendimmarrja konsensuale. Sipas tij, pa respektimin e këtyre parimeve, Alternativa nuk do të vazhdojë si pjesë e koalicionit nëse VLEN shndërrohet në parti.

Mospajtimet lidhen me propozimin e liderëve të Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, përkatësisht Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, që VLEN të ketë dy kryetarë dhe që partitë e tyre të zotërojnë nga 35 për qind të përfaqësimit në organet drejtuese, ndërsa 30 për qind e mbetura të ndahen mes Alternativës dhe subjekteve të tjera.

Ndër subjektet e përfshira në këtë formulë janë edhe fraksioni i Aleanca për Shqiptarët i udhëhequr nga Arben Fetai, përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje përmes Bekim Qoku, si dhe Lëvizja Arbëria.

Gashi theksoi se, nëse nuk arrihet një marrëveshje që garanton barazi dhe konsensus, Alternativa nuk do të jetë pjesë e partisë së re VLEN dhe ai do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit. Kundër modelit të bashkëkryesimit janë shprehur edhe përfaqësuesit e fraksionit të Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Fetai.

Back To Top