Procesi i shkrirjes së koalicionit VLEN në një parti të vetme ka nxitur debat brenda strukturave të tij, jo vetëm për çështjen e lidershipit, por edhe për mënyrën e funksionimit dhe ndarjen e pushtetit mes katër subjekteve përbërëse.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi se barabarësia mes partnerëve është parim themelor mbi të cilin është ndërtuar bashkëpunimi. Sipas tij, “hisja e VLEN ndahet në katër çerek”, duke nënvizuar se secili subjekt duhet të ketë pjesë të barabartë në vendimmarrje dhe përfaqësim.
“Aty janë disa parime. E para është barabarësia e katër subjekteve, siç e dini hisja e VLEN ndahet në katër çerek. Dhe ky për mua është parim bazë, kjo është formula realisht e suksesit të VLEN-it si në zgjedhjet parlamentare ashtu edhe lokale”, deklaroi Fetai.
Nga ana tjetër, kryetari i Lëvizja Besa, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se marrëveshja aktuale brenda VLEN-it është në fuqi, por për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të duhet të arrihet një marrëveshje e re.
Mbetet të shihet nëse partnerët e koalicionit do të pajtohen që edhe në ciklin e ardhshëm zgjedhor të vlejë parimi i ndarjes së barabartë me nga 25 për qind për secilin prej katër subjekteve, apo nëse formula aktuale do të ndryshojë në kuadër të transformimit në një parti të vetme.
