Alarm në Çair: Mbi 200 qytetarë zbulojnë skandale në shkolla – Kërkohet reagim urgjent institucional
Sekretariati për Arsim dhe Shkencë pranë Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega Çair, ka publikuar rezultatet e një hulumtimi empirik të realizuar përmes një ankete online me mbi 200 prindër dhe mësimdhënës në shkollat fillore në territorin e Komunës së Çairit. Sipas të dhënave të mbledhura, gjendja në disa prej shkollave paraqitet seriozisht shqetësuese në aspektin e higjienës, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve.
Anketa përfshin shkollat fillore “Imri Elezi”, “Tefejjuz”, “Vasill Gllavinov”, “Hasan Prishtina”, “7 Marsi” dhe “Jashar Bej Shkupi”, ku sipas raportimeve të prindërve dhe stafit arsimor janë evidentuar një sërë mangësish.
Rezultatet tregojnë për:
• Kushte të papërshtatshme higjienike në nyjat sanitare;
• Mungesë të mjeteve bazë për mirëmbajtjen e higjienës;
• Pastrim dhe mirëmbajtje jo të rregullt të hapësirave shkollore;
• Masa të pamjaftueshme për sigurimin e nxënësve brenda dhe jashtë objekteve;
• Rreziqe të mundshme për shëndetin dhe sigurinë fizike të fëmijëve;
• Mbështetje të pamjaftueshme psikologjike për nxënësit.
Nga Sekretariati vlerësohet se këto gjetje kërkojnë reagim të menjëhershëm institucional, duke pasur parasysh se Komuna, si themeluese e shkollave, ka obligim të sigurojë kushte adekuate për zhvillimin normal të procesit edukativo-arsimor, ndërsa organet inspektuese shtetërore kanë përgjegjësi ligjore për mbikëqyrjen e standardeve.
Në këtë drejtim, Sekretariati për Arsim dhe Shkencë pranë Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega Çair, ka paraqitur kërkesë zyrtare për:
• Zbatim të një mbikëqyrjeje të jashtëzakonshme inspektuese nga organet kompetente;
• Kontroll dhe inspektim urgjent nga Komuna e Çairit;
• Ndërmarrjen e masave konkrete për eliminimin e mangësive të konstatuara;
• Hartimin e një plani veprimi për përmirësimin e kushteve;
• Njoftim me shkrim për masat e ndërmarra brenda afatit ligjor.
“Siguria, shëndeti dhe dinjiteti i fëmijëve nuk mund të jenë objekt neglizhence apo vonese institucionale,” thuhet në reagimin e Sekretariatit, duke theksuar se qëllimi i kësaj nisme është garantimi i kushteve të sigurta dhe dinjitoze për çdo nxënës në Komunën e Çairit.
Sekretariati paralajmëron se do të ndjekë nga afër zhvillimet dhe pret reagim konkret nga institucionet përgjegjëse në ditët në vijim.
