“Kur fukaraja bëhet mbret, e mbyt babën e vet.”

Shkruaj Nafie Selmani;

Kjo shprehje popullore është metaforë e fuqishme e hakmarrjes primitive dhe e persekutimit politik, që VLENI po ua bën atyre që u dhanë pushtet. Ajo përshkruan më së miri atë që sot po u ndodh shumëkujt prej nesh, që i mbështetëm, i votuam, investuam kohë, energji, mund, madje edhe mjete financiare, por që nuk pranuam të manipulohemi apo të nënshtrohemi deri në humbje dinjiteti, dhe të pranonim pa kundërshtim mashtrimin që na u paraqit si “ndryshim” për më mirë.

Viktima e parë e këtij persekutimi hakmarrës isha unë. Pasi u zgjodha me sukses në Agjencinë e Mediave, përfaqësues të VLEN-it, me në krye Bekim Qokun, Zeqirija Ibrahimin dhe njëfarë Bashkim Murtezi, të ndihmuar edhe nga të tjerë, më larguan padrejtësisht dhe në kundërshtim me çdo logjikë ligjore, duke më zëvendësuar me një jaraneshë të tyre. Kjo u konfirmua edhe në raportin e Komisioni Evropian, për të cilin kam shkruar më herët.

Por rasti im nuk është i izoluar. Ka plot raste të ngjashme. Njerëzit hezitojnë të flasin publikisht nga frika, nga presioni, nga pasiguria për hakmarrjen që mund të pësojë.

Rasti i fundit i Arlinda Shllakut dhe mosreagimi i atyre që u ftuan për reflektim dëshmon një realitet të hidhur që dikush nuk do ta pranojë. Nëse një Stoilkoviç i dëbon shqiptarët nga puna, VLEN-i po i persekuton politikisht ata që i sollën në pushtet. Dje unë. Sot Arlinda. Nesër kush?

VLEN, jeni shndërruar në një analog të Stoilkoviçit, jo në emër, por në mendësi dhe praktikë. Turp!

VLEN, sot mund t’ju duket vetja se jeni “mbretër”. Por në thelb, pushteti që mbështetet mbi frikë dhe nënshtrim nuk është forcë, është pasiguri. Sepse vetëm ai që ka frikë godet të pambrojturin, sikurse bëtë me mua, dhe po vazhdoni me të tjerë. Dhe mos harroni, ata që ju sollën në këtë “mbretëri”, po këta do t’ju largojnë prej saj.

Back To Top